Autoritetet në Kosovë mirëpritën vendimin e një dite më parë të Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill, ndërsa po kritikohet ashpër nga autoritetet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi vendimin një arritje shumë të madhe për vendin.

“Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim edhe në institucionet tjera euro-atlantike.

Por kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se hapja e rrugës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është meritë e punës së aleatëve të vendit.

“Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën. Është krejtësisht punë e tyre”, tha zoti Haradinaj.

Me 18 prill Asambleja parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Komisioni tërhoqi vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa theksoi se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës./VOA