Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të tilla, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre.

Gazeta mëson se mbrëmë në Polici në Prishtinë është paraqitur një grua, pasi burri i saj dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Bazuar në dëshminë e 30-vjeçares, bashkëshorti për shkaqe xhelozie e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

Ndërkohë Policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të lokalizuar vendndodhjen e 40-vjeçarit, pasi i njëjti është në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.