Gazeta raportoi mbrëmë për arrestimin e shqiptarit të kërkuar me urdhër arrëst ndërkombëtar, Asjan Buqeza alias Hasan Buqeza, i dënuar me 23 vjet burgim nga autoritetet në Itali.

I dënuar për veprimtari kriminale në trafikimin e drogës, në kuadër të organizatës kriminale, Buqeza së shpejti pritet të ekstradohet. Gjatë kohës sa po shijonte lirinë, Buqeza ishte strehuar edhe në Kosovë, si rezultat i lidhjeve të tij me biznesmenë e zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës.

Në mesin e tyre është edhe ish komandanti i pikës kufitarë në Vërmice dhe ish komandant i stacionit policor në Prizren, zyrtari Qamil Kroni.

Gazeta ka siguruar një fotografi ku Buqeza dhe Kroni shihen bashkë, teksa kanë darkuar në një restorant.

Buqeza ka gjetur strehë në Kosovë edhe falë lidhjes së tij me biznesmenë, pasi një kohë kishtë qëndruar në hotelin “Lakeside” në Vërmicë të Prizrenit.

Ndryshe, Gjykata e Milanos e ka dënuar Buqezën me 23 vjet burgim, për veprimtaritë kriminale të posedimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.

Nga viti 2004 deri në muajin prill 2005, ai akuzohej se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 19 kilogramë lëndë narkotike heroinë, drejt Italisë.