Janë bërë shumë vite prej kur kishte filluar ndërtimi i rrugës Komoran – Skenderaj.

Kjo rrugë përveç lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve kishte karakter edhe historik. Kjo sepse lehtësonte shkuarjen e vizitorëve në Kompleksin Memoral të Jasharajve në Prekaz.

Por ka disa vite që kjo rrugë është lënë pas dore. Asnjë investim nuk është bërë prej atëherë nga qeveritë që kaluan tash e sa vite.

Për afro 17 milionë euro ka mbetur pezull projekti që lehtëson lëvizjen në rajonin e Drenicës.

Edhe me Qeverinë Kurti ky projekt nuk ka gjetur mbështetje. Kësisoji për vite me radhë vetëm është ruajtur kodi buxhetor por punime nuk janë zhvilluar.

Punët janë ndalur në fshatin Gllobar të Komunës së Drenasit ku prej atje në drejtim të Komoranit nuk ka punime.

Gjatë ditëve të fundit është marrë informacion se ka tendencë të devijimit të trasesë së rrugës ku po tentohet të zhvendoset në drejtim të fshatit Vasilevë, përkatësisht Korroticë e Ulët dhe të anashkalohet Komorani.

Nuk dihet se në interes të kujt është ndryshimi i trasesë së rrugës që lidhë pjesën qendrore të Kosovës me Prekazin, vend ky i cili pranon mijëra vizitor gjatë tërë vitit.