Ish-pjesëtari i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviq u dënua para departamentit special të Gjykatës së Lartë në Beograd me 20 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 në rrethinën e Pejës në Kosovë.

Ai u dënua se si komandant i brigadës 177 kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se kishte ditur për vrasje e grabitje, raporton N1.

Aktakuza përshkruan me detaje pushtimin e fshatrave, vrasjet, grabitjet, djegien e shtëpive dhe dëbimin e civilëve në drejtim të Shqipërisë.

Përveç Miladinoviqit, Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet, Abdulah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërsa Llazar Pavloviq, Slavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet.