Një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një konflikti që ka ndodhur mes dy grupesh në rrugën ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë. Dy të dyshuarit, Naim dhe Ahmet Berisha janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe Policia po vijon hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se përpos Egzon Hazirit, 30-vjeçar, që humbi jetën nga plagët e marra, tre të plagosurit tjerë janë Zejnie Gashi 48-vjeçare, Lum Halimaj 25-vjeçar dhe Bilall Kqiku 25-vjeçar.

Gashi ishte kalimtare e rastit në momentin kritik, ndërsa Halimaj ndodhej me tashmë të ndjerin. Kurse i plagosuri i tretë, Kqiku, është paraqitur në Polici më vonë.

Vdekjen e të riut e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Ndërkohë ndihmë mjekësore ka marrë edhe Bilall Kqiku.

Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije për Sinjalin se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë në gjendje stabile.

Ndërkohë lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët pohuan se po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thanë mbrëmë nga Policia.

Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.