Disa të shtëna me armë zjarri kanë trazuar mbrëmë banorët e rrugës ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë. Një konflikt mes disa personave përfundoi tragjikisht për Egzon Hazirin, rreth 30-vjeçar, i cili humbi jetën pas plagëve të marra nga goditja me armë zjarri. Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona tjerë, përfshirë një kalimtare të rastit.

Sinjali mëson ekskluzivisht se se dy të dyshuarit janë vëllezërit Naim Berisha 39-vjeçar dhe Ahmet Berisha 29-vjeçar.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes grupit të të dyshuarve Berisha në njërën anë dhe grupit të viktimës në anën tjetër.Në përleshje e sipër është përdorur edhe arma e zjarrit, ku si pasojë mbeti i vrarë Egzon Haziri, teksa plagë mori edhe një person që ishte me të, si dhe një kalimtare e rastit.

Gazeta raportoi mbrëmë ekskluzivisht lidhur me ngjarjen e rëndë, ku sipas sinjalizueseve, fillimisht bëhej fjalë për dy persona të plagosur.

Vdekjen e të riut e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije për Sinjalin se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën, ndërsa i plagosuri i dytë është në gjendje stabile.

Ndërkohë lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët pohuan se po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Momentalisht nuk raportohet për persona të arrestuar, e as nuk është arritur që ata të identifikohen.

Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sinjali mëson se veturat e përfshira në rast janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar për veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, si dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.