Senati në SHBA ka aprovuar një projektligj që mund ta ndalojë TikTokun në Amerikë, raporton “BBC”.  Me projektligjin e miratuar të martën mbrëma, kompanisë amë të TikTokut, ByteDance, i jepet kohë nëntë muaj që t’i shesë aksionet përndryshe aplikacioni do të bllokohet në SHBA. 

Projektligji është dërguar te presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që tha se do ta kthejë në ligj në momentin kur arrin në tavolinë e tij.

ByteDance i ka thënë “BBC” se nuk ka një reagim të menjëhershëm. Më herët firma ka thënë se do të kundërshtojë çdo tentim për ta detyruar që ta shesë TikTokun.

Nëse SHBA-ja arrin ta detyrojë ByteDancen ta shes TikTokun, atëherë çdo marrëveshje do të kërkojë edhe aprovimin nga zyrtarët kinezë, por Pekini ka thënë se do të kundërshtojë një lëvizje të tillë.

Analistët thonë se procesi mund të zgjasë me vjet.

Masa ishte pjesë e një pako me katër projektligje, ku u përfshi edhe ndihma ushtarake për Ukrainën, Izraelin e Tajvanin si dhe partnerët tjerë në Indo-Paqësor.

79 senatorë votuan pro e 18 kundër.

“Me vjen kemi lejuar partinë komuniste kineze të kontrollojë një nga aplikacionet më të popullarizuara në Amerikë, ishte shkurtpamësi e rrezikshme. Ligji i ri do të kërkojë që pronari kinez të shesë aplikacionin. Është një lëvizje e mirë për Amerikën”, ka thënë senatori Marco Rubio, kryerepublikani në Komitetin e Inteligjencës.