Qielli mbi Greqinë jugore mori një ngjyrim portokalli, sepse retë e pluhurit të rërës që erdhën nga Afrika e Veriut dhe arritën në Athinë nëpërmjet Detit Mesdhe, ishin në përmasa të theksuara.

Erërat e forta jugore bartnin pluhur nga shkretëtira e Saharasë dhe pasi arritën në atmosferën mbi Greqinë, bënë që Athina të merrte ngjyra të tjera, të ngjashme me ato të Marsit.

Të martën, temperatura më e lartë ditore në pjesë të ishullit jugor të Kretës ishte mbi 30 gradë Celsius, gati 20 gradë më e lartë se pjesa më e madhe e Greqisë veriore.

Erërat e forta jugore ditët e fundit kanë nxitur gjithashtu zjarre të hershm në jug të vendit.

Shërbimi zjarrfikës njoftoi se në 24 orët e fundit kanë rënë gjithsej 25 zjarre në të gjithë vendin. Tre persona janë arrestuar në ishullin Paros në detin Egje me dyshimin se kanë ndezur aksidentalisht një zjarr. Nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar, ndërsa zjarri është lokalizuar me shpejtësi.

Një tjetër zjarr ka rënë në Kretë pranë një baze detare dhe tashmë është nën kontroll.

Greqia çdo verë përballet me zjarre shkatërruese dhe shpesh vdekjeprurëse në pyje.