Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë se vendi i tij mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, shkruan gazeta Prishtina Sot.

Në një intervistë për European Western Balkans, Sarrazin ka thënë se pas votimit të dytë me sukses për Kosovën, ajo duhet të bëjë gjithçka që të mund t’i bind shtetet anëtare.

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare. Dhe ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Natyrisht, ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës. Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë me Këshillin e Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”, tha Sarrazin.

I pyetur se Serbia është e pakënaqur me progresin e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, emisari gjerman tha se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë edhe kritere të Gjermanisë.

Sipas tij, Kosova ka obligim marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2023, si dhe ato të Ohrit, në zbatimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Më duhet të rrëfej se nuk mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kritere tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013 si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar Asociacionit. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e Asociacionit”, tha Sarrazin.

Rreth asaj se a po e shkel Serbia marrëveshjen e Ohrit duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, Sarrazin tha se ajo nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, duke penguar Kosovën të bëhet pjesë e organizata ndërkombëtare.

“Ka një përkushtim të qartë në marrëveshjen e Ohrit: Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare. Nuk e shoh se si veprimet aktuale të Serbisë janë në përputhje me tekstin apo frymën e marrëveshjes”, tha ai.