Konfliktet për borxhe jo rrallëherë kanë eskaluar në kanosje serioze e përleshje. Personat që kanë tentuar t’i qërojnë hesapet në këtë formë, për pasojë kanë përfunduar në Polici dhe janë future në telashe. Kështu dyshohet se ka ndodhur edhe dje, në fshatin Barilevë në Prishtinë.
Këtë herë, Gazeta mëson se janë përfshirë pesë persona, anëtarë të dy familjeve, që dyshohet se janë rrahur mes vete në orët e mëngjesit të së dielës.
Sipas informacioneve të para, tre të dyshuar në njërën anë dhe dy në anën tjetër, janë përleshur, ku gjatë rrahjes kanë përdorur edhe një mjet të fortë. Njëri prej të dyshuarve ka pësuar lëndime trupore, për çka është dërguar për trajtim mjekësor, teksa më pas janë shoqëruar në stacion policor.
Edhe gjatë deklaratave të dhëna para hetuesve, palët e kanë pranuar që motivi që i futi ata në sherr ka qenë një borxh i mëhershëm.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.