Të dielën ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të vendit. Kjo pasi që serbët lokalë, edhe pse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të tyre, më vonë e kanë bojkotuar procesin, ashtu siç ka bërë thirrje Lista Serbe.

Kërkesa e SHBA-së që vendimi të rishqyrtohet nga Lista Serbe nuk u mor parasysh, çka pasoi me zhgënjimin e tyre.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe akterëve tjerë politikë serbë në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën.

Zëdhënësi citoi ambasadorin Hovenier që është e rëndësishme për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.

Pavarësisht kësaj, SHBA shpreh keqardhje për tërheqjen e Listës Serbe dhe politikanëve serbë të Kosovës nga mundësia për largimin e kryetarëve në Veri.

“Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i bënë thirrje Listës Srpska dhe akterëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim ligjor për tërheqjen e kryetarëve. Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullësisë të cilës u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj e ndoqën këtë proces nga afër.

Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.