PE-ja miraton heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë

 

 

Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.

Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.

Nga Aeroporti i Prishtinës nuk është e mundur të udhëtohet me pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd për qytetarët e Kosovës, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, poseduesit e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë nga çdo vend i rajonit.

Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e këtyre pasaportave, si arsyetim dha qëllimin që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë. Ky propozim i Komisionit Evropian erdhi pasi ishte e qartë se nga 1 janari shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit.

Vendimi i së martës u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime.

Ky votim në Parlamentin Evropian është hapi i fundit në këtë institucion të BE-së drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e këtyre pasaportave. Raportin, i cili u votua të martën në seancë plenare, e ka përpiluar deputeti nga Sllovenia Matjazh Nemec.

Ai ka thënë se me raportin e tij nuk ka për qëllim të zgjidhë ndonjë çështje politike apo mospajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por, siç u shpreh ai, një problem praktik dhe teknik për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të siguruar trajtimin e barabartë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai, madje, tha se ky problem ishte krijuar nga vetë BE-ja në vitin 2009, kur u hoqën vizat për Serbinë por jo edhe për bartësit e këtyre pasaportave, dhe tash BE-ja duhet ta përmirësojë këtë gabim. Nemec theksoi në fjalimin e tij se ky vendim, i propozuar nga Komisioni Evropian, është mbështetur edhe nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe ka pajtimin e Këshillit.

Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Sipas Qeverisë së Kosovës, argumenti se serbët e Kosovës nuk janë përfshirë në liberalizim nuk qëndron pasi ata, sikur të gjithë shtetasit tjerë të Kosovës mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës me procedurë të shpejtuar dhe me ato pasaporta mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane.

Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.

Por, argumentet e Kosovës nuk ishin marrë parasysh nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian e as nga Këshilli.

Pas votimit të sotëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ka mbetur vetëm që Këshilli i BE-së ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi.

Pikërisht për shkak se seancat plenare të kësaj jave janë të fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, edhe kishte presion kohor që votimi të përmbyllet në këtë seancë, sepse pas kësaj jave do të shpërbëhet Parlamenti Evropian ndërsa seanca themeluese e përbërjes së re do të jetë në korrik, pas zgjedhjeve evropiane.

Sikur të mos ishte votuar këtë javë, gjithçka do të shtyhej për fundin e këtij viti. Tash mbetet të përmbyllen formalitetet në Këshill në mënyrë që vendimi të hyjë në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d