Një person ka vdekur e tre të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e së martës në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Kështu bën me dije Prokuroria Themelore në Prishtinë. Njëri nga tre të plagosurit është në gjendje më të rëndë shëndetësore, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Tutje, ajo ka pohuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

Vendi i ngjarjes

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”, tha Ulaj.

Siç theksoi Ulaj, prokuroria është në koordinim me policinë dhe duke zhvilluar hetimet për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, tha ajo.

Personi që mbeti i vdekur është Egzon Haziri, rreth 30 vjeçar.

Ndërkaq dy vëllezër Naim Berisha 39-vjeçar dhe Ahmet Berisha 29-vjeçar, raportohen të jenë të dyshuar për këtë vrasje, të cilët ndodhen në arrati.

Viktima, Egzon Haziri