Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës e ka miratuar opinionin e Dora Bakojanis, raportueses për Kosovën në KiE. Opinioni i Bakojanis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

31 delegatë votuan pro raportit, katër kundër dhe një abstenim.

Lajmin për miratimin e opinionin të Bakojanis, e ka bërë të ditur zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.

“Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës”, ka thënë Ahmeti. “Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”.

Ahmeti tha se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, “gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

Opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën.

Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet dhe jo si vend.

Ahmeti tha se suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit.

“Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, u shpreh ai.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas zëvendësministrit, do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.