Janë të destinuar në rast të ndonjë fatkeqësie, kështu duken bunkerët e Prishtinës

 

 

Prishtina numëron pesë bunkerë të cilët janë ndërtuar në vitet ‘80-ta e që janë të destinuara për strehimin e qytetarëve në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo të ndonjë rreziku tjetër.

Aktualisht, dy prej tyre janë jashtë funksionit, ndërsa për tri të tjera konsiderohen të shfrytëzueshme.

Kjo është një nga pesë strehimoret të cilat gjenden në Prishtinë në lagjen “Bregu i Diellit”.

Kjo strehimore e cila është aktualisht në rinovim ka një hapësirë mbi 300 metra katrorë.

Përpos në “Bregun e Diellit”, bunkerë ka edhe në lagjen “Ulpiana”. Strehimore kanë kapacitete prej 179 metra katrorë, 254 metra katrorë, 385, 332 si dhe 220 metra katrorë.

Me Prishtinën që llogaritet se numëron rreth gjysmë milioni banorë, hapësirat nuk i plotësojnë kërkesat.

“Me themelimin e Drejtorisë (për Siguri dhe Emergjenca) vitin e kaluar kemi bërë inspektimin e pesë strehimoreve që gjenden në kryeqytet të cilat duhet të jemi realë nuk i përmbushin as kërkesat dhe nevojat që i ka kryeqyteti”, tha drejtori për sigurinë Fushtica.

Aktualisht, prej tri strehimoreve që konsiderohen funksionale, dy i janë dhënë organizatave joqeveritare. Ndërsa një tjetër shfrytëzohet nga ndërmarrja publike e Prishtinës që kujdeset për hapësirat në “Ulpianë”.

“Dy strehimoreve nga menaxhmenti i kaluar, nga qeverisja e kaluar e kryeqytetit i janë dhënë dy OJQ-ve për shfrytëzim, jemi duke i shikuar ato kontrata, të shikojmë se sa janë të vlefshme për kryeqytetin për arsye se në rast të fatkeqësive ne nuk kemi kohë të mendojmë dhe të themi duhet ta lironi hapësirën”, shtoi Fushtica.

Bunkerët që i janë nënshtruar rikonstruksionit megjithatë ende nuk konsiderohen të kompletuara.

“Të gjitha këto strehimore që janë rinovuar kanë furnizim me ujë, kanë furnizim me rrymë, e kanë ajrosjen, e kanë qasjen, të gjitha janë të pajisura, por nuk kanë shtretër në rast nevoje, nuk ka ushqim rezervë, nuk ka ujë rezervë përveç ujit që është i lidhur, por duhet të ketë pajisje mjekësore, barna që duhet të jenë të vendosura si lloj depoje në rast të nevojës që qytetarëve t’ju ofrohet ndihma”, përfundoi ai.

Prishtina ka planin B sipas saj në rast të ndonjë fatkeqësie ku i duhet të strehojë qytetarët, e që janë hapësirat e sallave të sporteve në shkolla.

Megjithatë, si strehimore mund të shfrytëzohet edhe hapësira e një parkingu nëntokësor pranë Katedrales ndërsa këtë vit planifikohet të fillojë edhe ndërtimi i katër parkingjeve të tjerë nëntokësorë që do të shfrytëzohen edhe si strehimore në rast nevoje.

“Po ashtu edhe parkingu që është momentalisht përballë Katedrales në rast nevoje mund të shfrytëzohet si strehimore, por edhe katër parkingjet e tjera do të shfrytëzohen si masë emergjente për strehimin e popullatës në rast nevoje”, përfundoi drejtori për sigurinë në kryeqytet.

Fushtica tha se kanë pasur koordinim të mirë edhe me Ministrinë e Mbrojtjes sa i përket rivitalizimit të strehimoreve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d