Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim ndaj grupit të parë prej shtatë personave të akuzuar për rastin e trishtë të dhunimit të 11-vjeçares, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Ndaj të akuzuarve është shqiptuar dënim prej 62 vjet burgim.

Siç ka njoftuar gjykata, të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit.

“… ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç.”

Ndërsa, “i akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit.”

Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.