Pas më shumë se dy muajsh, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për tentim vrasjen të rruga B në Prishtinë. I dyshuari që dyshohet se i vendosi një mjet shpërthyes viktimës tashmë ndodhet në ndalim, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari Kushtrim Krasniqi është arrestuar të mërkurën në mbrëmje, në Aeroportin e Prishtinës. Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, Krasniqi është intervistuar dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje.

Ndryshe, cak i Krasniqit ishte vetura e Ardit Sekiraqës, të riut nga Obiliqi, rast ky që dyshohet se lidhet me një konflikt të mëhershëm në mes të dy familjeve.

Rastin e ka konfimruar edhe Policia e Kosovës, ku thonë se lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.