Zyrtarët në Bruksel i tregojnë kushtet e hyrjes në Schengen

 

 

Nga 1 janari 2024 kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Schengen, përjashtuar Spanjën. Heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës Bashkimi Europian në fillim e lidhi me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Ky sistem parashihet që të mundësojë verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen. Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Meqë ky sistem u vonua të funksionalizohet, kosovarët s’u penalizuan më tepër. Por derisa ky sistem s’është aktiv, a do t’iu duhet kosovarëve të dëshmojnë një pasqyrë financiare dhe qëllimet mbi udhëtimin?

Këtë çështje e ka shpjeguar për Gazetën Express zëdhënësja e Komisionit Europian për punët e brendshme, Anitta Hipper.

“Mbajtësit e pasaportës së Kosovës tani mund të udhëtojnë në BE pa vizë për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Marrëveshja e arritur parashikonte që liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë efektiv me hyrjen në veprim të ETIAS dhe gjithsesi jo më vonë se 1 janari 2024. Tani ndodhi kështu”, tha Hipper, e cila listoi edhe kriteret që duhet plotësuar për të hyrë në zonën Schengen.

Për qëndrime jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, kushtet e hyrjes janë si më poshtë:

(a) posedimi i një dokumenti të vlefshëm udhëtimi ose dokumente që i autorizojnë ata të kalojnë kufirin;

(b) justifikimin e qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të planifikuar, duke pasur mjete të mjaftueshme për periudhën e qëndrimit, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të planifikuar ashtu edhe për kthimin;

(c) të mos jetë person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes;

(d) të mos konsiderohet si një kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjë prej shteteve anëtare, veçanërisht kur asnjë sinjalizim nuk është lëshuar në bazat kombëtare të të dhënave të shteteve anëtare për qëllimet e refuzimi i hyrjes për të njëjtat arsye.

Më 1 janar, kryeministri Albin Kurti shkoi në Aeroportin “Adem Jashari” ku u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave.

Gjatë ceremonisë në Aeroportin e Prishtinës, Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret, “sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë”.

“Andaj, ky mëngjes i Vitit të Ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë sesa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive të qytetarëve tanë. Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi. Prandaj, kjo është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Schengen”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d