Ish-zëdhënësi i UÇK-së, politikani dhe historiani, Jakup Krasniqi është prezantuar si i akuzuar për krime lufte në biografinë zyrtare të tij në uebfaqen e Zyrës së Presidentit.
Pas kësaj ka reaguar ashpër vajza e Jakup Krasniqit, Gresa. Përmes një shkrimi në Facebook, ajo i ka hedhur kunja presidentes Osmani.
Gresa Krasniqi u shpreh se ‘shpirtin e shëmtuar nuk e zbukuron dot as me stoli, as me intervenime kirurgjike për dobësim‘, duke përmendur kështu faktin që Osmani kishte kryer ndërhyrje kirurgjike për dobësim.
“Besoj se bukuria e njeriut rrjedh nga brenda ashtu siç besoj që shpirtin e shëmtuar nuk e zbukuron dot as me stoli, as me intervenime kirurgjike për dobësim e as me rroba firmato.”, ka shkruar Gresa Krasniqi.
Kujtojmë se, aktakuza e parë kundër Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Jakup Krasniqit.