Rezistenca bakteriale ndaj antibiotikëve po bëhet një problem global në rritje. Megjithatë, në vitin e ri kemi hyrë me një fije shprese. Shkencëtarët nga instituti kërkimor i kompanisë farmaceutike zvicerane Roche raportuan për një antibiotik të ri që neutralizon me sukses një nga bakteret më rezistues.
Acinetobacter baumanii është bakter që zakonisht nuk është i rrezikshëm për një person të shëndetshëm, por mbijeton te pacientët e dobësuar në spitale, veçanërisht në njësitë e kujdesit intensiv.
Bakteret nga gjinia Acinetobacter njihen si shumë efektive në krijimin e rezistencës ndaj antibiotikëve të ndryshëm.
Vitet e fundit, përqindja e baktereve Acinetobacter baumannii që janë rezistuese ndaj pothuajse të gjithë antibiotikëve aktualë, përfshirë karbapenemët, të cilët konsiderohen në mjekësi si rezervë kur antibiotikët bazë nuk funksionojnë, është rritur ndjeshëm.
Acinetobacter baumannii i takon të ashtuquajturit bakteret gram-negative, që do të thotë se ajo është e rrethuar nga një membranë mbrojtëse e dyfishtë që është e vështirë për t’u depërtuar me ilaçe. Antibiotiku i fundit i ri që ka vepruar kundër këtij bakteri është zbuluar më shumë se 50 vjet më parë.
Këtë javë shkencëtarët nga kompania farmaceutike Roche raportuan në revistën “Nature” se ata arritën të gjenin një lloj të ri antibiotiku që u tregua efektiv në luftimin e varianteve më rezistuese të Acinetobacter baumannii.
Substanca aktive e quajtur zosurabalpin përdor një mekanizëm krejtësisht të ri sulmi: parandalon bakteret që të ndërtojnë një membranë të jashtme dhe e bën atë të vdesë.
Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë renditi rezistencën bakteriale ndaj antibiotikëve si një nga dhjetë kërcënimet më të mëdha globale për shëndetin publik. Vlerësohet se bakteret rezistuese shkaktuan drejtpërdrejt më shumë se një milion vdekje në vitin 2019.
Për momentin, efektiviteti i antibiotikut të ri është vërtetuar me sukses vetëm në kulturat qelizore dhe te minjtë, dhe është planifikuar gjithashtu një provë klinike te njerëzit. Do të kalojnë të paktën disa vite para se të përdoret në mjekësi.
Por ky është sigurisht një lajm inkurajues për ekspertët dhe një fije shprese kur dihet se zhvillimi i antibiotikëve të rinj është ngadalësuar ndjeshëm në dekadat e fundit, ndërsa bakteret kanë fituar vazhdimisht rezistencë.