Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike në bllokun deri në 800kwh të mbesin të njëjta, ndërsa tarifat në bllokun mbi 800 kwh do të ulen për 8%, kurse 3% për bizneset.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë.
Tarifat e energjisë elektrike u rritën për 15% vitin e kaluar.
Çmimi aktual i energjisë elektrike në Kosovë ndahet në bllok-tarifa, nën dhe mbi 800kW të shpenzuara.
Deri më tani, konsumatorët që shpenzonin deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës tarifohej 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzonin më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritej me çmim prej 14.45 centësh.
Njoftimi i plotë:
KOMUNIKATË
Seanca e tretë (III) e Bordit të ZRRE në 2024
Ulje e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët fundor për vitin tarifor 2024
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e tij të tretë (III) për këtë vit, të mbajtur sot, më 02 prill 2024, ka aprovuar tarifat me pakicë për konsumatorët fundor që furnizohen në kushte të shërbimit universal.
Rënia e çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë ka ndikuar në kostot me shumicë të energjisë elektrike në Kosovë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, kostot e furnizimit me energji elektrike nga importi për konsumatorët fundor për vitin 2024 parashihen të jenë më të ulëta në krahasim me vitet e paraprake. Këto ndryshime kanë ndikuar në uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët fundor si vijon:
Ulje e tarifave prej 8% për konsumatorët familjar për bllokun me konsum mbi 800kWh
Ulje e tarifave prej 3% për konsumatorët komercial dhe industrial
Bordi i Zyrës se Rregullatorit ka aprovuar edhe tarifat për vitin relevant tarifor 2024 për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).
Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar rezultatet e fituara nga vlerësimi i koncentrimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë përmes indeksit HHI (Herfindahl–Hirschman Index) për vitin 2023, i cili tregon qartë se kemi të bëjmë me një përqendrim të lartë në tregun e energjisë elektrike, nga ku shihet mungesa e furnizuesve aktiv.
Bazuar në rezultatet e këtij raporti, Bordi ka vendosur që Obligimi i Shërbimit Universal për dy vitet e ardhshme t’i ngarkohet KESCO-s.
Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero- ks.org.