Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një reagim pas pamjeve që publikoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se në Termocentralin Kosova A, ka eksploduar kazani.
Nga KEK kanë thënë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Sipas tyre, blloku A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
Në njoftim thuhet se zjarri ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe se i njëjti është lokalizuar e fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit. Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”, thuhet në njoftim.