Zbulohet ujë i lëngshëm në planetin Mars

 

 

Shkencëtarët kanë zbuluar një rezervuar me ujë të lëngshëm në planetin Mars, në thellësi të kores së jashtme shkëmbore të tij. Gjetjet vijnë nga një analizë e re e të dhënave nga “Mars Insight Lander” i NASA-s, i cili preku planetin në vitin 2018. “Landeri” mbante një sizmometër, i cili regjistroi dridhjet 4-vjeçare deri në thellësi të Planetit të Kuq.

Duke analizuar ato tërmete dhe saktësisht se si lëviz planeti u zbuluan “sinjale sizmike” të ujit të lëngshëm. Dihet që ka ujë të ngrirë në polet e Marsit dhe dëshmi të avullit në atmosferë, por kjo është hera e parë që uji i lëngshëm të gjendet në këtë planet. Gjetjet janë publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences.

Misioni shkencor i Insight përfundoi në dhjetor të 2022-shit, pasi tokëzuesi u ul i qetë duke dëgjuar “pulsin e Marsit” për 4 vjet. Nga ajo kohë sonda regjistroi më shumë se 1319 tërmete. Duke matur shpejtësinë e lëvizjes së valëve sizmike, shkencëtarët kanë gjetur se në cilin material ka më shumë gjasa të lëvizin.

“Këto janë në fakt të njëjtat teknika që ne përdorim për të kërkuar ujë në Tokë, ose për të kërkuar naftë apo gaz”, – shpjegoi Prof. Michael Manga nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, i cili ishte i përfshirë në studim. Analiza zbuloi rezervuarë uji në thellësi nga 10 deri në 20 km në brendësi të kores së Marsit.

Të kuptuarit e ciklit të ujit marsian është thelbësor për të kuptuar evolucionin e klimës, sipërfaqes dhe brendësisë” – tha studiuesi Dr. Vashan Wright nga Instituti Scripps i Oqeanografisë në UC San Diego.
Prof. Manga shtoi se uji ishte “molekula më e rëndësishme në formësimin e evolucionit të një planeti”. Ky zbulim, tha ai, i jep përgjigje një pyetjeje të madhe se “ku shkoi i gjithë uji i Marsit?”. Studimet e sipërfaqes së Marsit tregojnë se, në kohët e lashta, kishte lumenj dhe liqene. Për 3 miliardë vjet, ai ka qenë vetëm një shkretëtirë.

Një pjesë e këtij uji humbi në hapësirë kur Marsi humbi atmosferën e tij. Prof. Manga tha se këtu në Tokë, “shumë nga uji ynë është nën tokë dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë edhe në Mars”. Sonda Insight ishte në gjendje të regjistronte vetëm drejtpërdrejt nga korja nën këmbët e saj, por studiuesit presin që do të ketë rezervuarë të ngjashëm në të gjithë planetin.

Nasa A close-up image of an ancient riverbed on the surface of Mars
Shenjat e lumenjve të tharë në Mars

Nëse është kështu, ata vlerësojnë se ka mjaft ujë të lëngshëm në Mars për të formuar një shtresë në të gjithë sipërfaqen që do të ishte më shumë se gjysmë milje e thellë. Megjithatë, theksojnë ata, vendndodhja e këtij uji nëntokësor marsian nuk është një lajm i mirë për miliarderët me plane të kolonizimit të Marsit, të cilët mund të duan ta përdorin atë. “Gjendet 10-20 km nën kore. Shpimi i një vrime 10 km të thellë në Mars edhe për Elon Musk do të ishte e vështirë”, – tha Manga për BBC News.

Zbulimi mund të tregojë gjithashtu një objektiv tjetër për kërkimin e vazhdueshëm për prova të jetës në Mars. “Pa ujë të lëngshëm, nuk ka jetë. Pra, nëse ka mjedise të banueshme në Mars, ato mund të jenë tani thellë nën tokë” – e mbylli ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d