Një person ka humbur jetën dje në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi që i njëjti dyshohet se u godit me qëllim nga një veturë. Policia bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 17:30 në rrugën “Agim Çelaj” në Pejë.
“Një person është goditur nga një veturë dhe është dërguar në spital, por nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen. Sipas dyshimeve të para, personi është goditur qëllimisht, kurse i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes”, bëri të ditur policia, të mërkurën.
I dyshuari është arrestuar pak orë më pas. Kështu ka njoftuar policia në raportin e sotëm 24 orësh.
“Është arrestuar i dyshuari shtetas i R. Shqipërisë, pasi që dyshohet se qëllimisht me veturë kishte goditur viktimën mashkull po ashtu shtetas i R. Shqipërisë. Si pasojë e plagëve te marra nga aksidenti, viktima ka ndërruar jete në Spitalin e Pejës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Pejës kanë thënë se ndaj të dyshuarit pritet që të paraqitet kërkesa për paraburgim.
“Prokurori i Shtetit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Vrasje e rëndë me qëllim hakmarrje””, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore.
Ndryshe burimet bëjnë të ditur se viktima dhe i dyshuari kanë qenë miq mes vete. Deri tek vrasja ka ardhur si pasojë e një problemi të mëhershëm.
Viktima dyshohet se i kishte djegur të dyshuarit shtëpinë në Elbasan, ndërkaq i dyshuari në shenjë hakmarrje e ka goditur gjatë ditës së djeshme me veturë në Pejë, ku edhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse.