Zbatimi i marrëveshjeve, Lajçak paralajmëron takim me palën kosovare këtë javë

 

 

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar për takimin që ka pasur të hënën me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Lajçak ka thënë se me Petkoviqin ka diskutuar për draft statutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po ashtu edhe për hapat e radhës për ta zbatuar Marrëveshjen e normalizimit dhe po ashtu detyrimet nga dialogu.

Ai ka paralajmëruar takim këtë javë edhe me palën kosovare.

“Me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, kam biseduar për drafstatutin propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, hapat e radhës për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe obligimet e mbetura. Do të vazhdojmë të diskutojmë me Kosovën më vonë këtë javë”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Takimi i fundit i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, i cili zhvillohet përmes BE-së, është mbajtur më 16 nëntor në Bruksel dhe një nga temat e diskutimit ka qenë pikërisht Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar vetëm takime të ndara me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë. Ai ka shtuar se drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës.

“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”.

Në anën tjetër, Petkoviq ka thënë se statuti i Asociacionit “duhet të përfaqësojë vetë shtyllën kurrizore të Asociacionit të komunave serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.

Ai theksoi se vetëm me zgjidhje kompromisi mund të arrihet përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d