VV-ja: S’jemi të sigurt që LDK dhe PDK janë ndarë 100%, s’qeverisim me parti që e kanë shkatërruar Prishtinën

 

 

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se nuk janë të sigurt nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë shkëputur 100 për qind bashkëpunimin në kryeqytet.

Në një konferencë për media, Sveçla ka drejtuar kritika të shumta për udhëheqësinë e Komunës, teksa ka shtuar se nuk do të bëhen pjesë e koalicionit me parti që e kanë shkatërruar Prishtinën.

Shumica e drejtorëve janë prej LDK-së. Te ndërmarrjet publike s’ka ndonjë risi. Ato vazhdojnë të qeverisen nga LDK-ja e PDK-ja me nga katër secila. Si pasojë e kësaj mjegulle, Kuvendi Komunal është i bllokuar, nuk mbledhje dhe shumicë parlamentare. Kësisoj, kanë ngecur edhe zgjidhjet e problemeve. Nuk jam i sigurt nëse janë ndarë 100 për qind LDK-ja e PDK-ja. Nuk bëjmë koalicion me parti që e kanë shkatërruar kryeqytetin, u themi jo LDK-së e PDK-së”, ka thënë ai.

Ndërkohë asamblistja, Nora Kelmendi, ka ftuar të gjithë asamblistët të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së martës, në të cilën do të kërkohet shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci i LDK-së.

Asamblisti tjetër i kësaj partia, Mirsad Vitija, ka akuzuar PDK-në se po përpiqet që me një këmbë të rri në pushtet e me një këmbë në opozitë.

Ndërmarrjet publike vazhdojnë të udhëhiqen nga PDK-ja. Këta zyrtarë të PDK-së janë ende në këto pozita, vazhdojnë të punësojnë militantë nëpër këto ndërmarrje. Pse nuk po ua kërkojnë dorëheqjen e tyre”, ka thënë Vitija.

LDK-ja dhe PDK-ja prishën koalicionin pas votimit për anulimin e vendimit për këmbim të pronave në Badoc më 8 shkurt.

Kësaj i parapriu shkarkimi i nënkryetares së Komunës, Donjeta Sahatçiu dhe drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, të PDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d