‘Vrasje e rëndë në tentativë’, Gjykata vendos për djalin e ish policit në Gjakovë

 

 

I dyshuari që po kërkohej për incidentin me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në qytetin e Gjakovës, tashmë është ndaluar. Personi i arrestuar, Endrit Berisha, djali i ish policit, Fadil Berisha, po dyshohet se është përfshirë në konflikt ku është gjuajtur me armë me një grup tjetër.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Pas seancës dëgjimore të mbajtur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj, i cili tha se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Hetimet për rastin po vazhdojnë, teksa të dyshuarit e tjerë ndodhen akoma në arrati.

Ndryshe, rasti ndodhi mbrëmjen e 14 marsit, ku sipas Policisë, “pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve, të njëjtit janë gjuajtur me armë ndërmjet vete. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar një i dyshuar: E. B., i lindur në vitin 1995 mashkull kosovar, mbi dyshimin se i njëjti ishte i përfshirë në këtë incident.”

Berisha është paraqitur në Polici pas një dite dhe po ashtu ka dorëzuar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d