Vrasja e të riut që tronditi Kosovën: Policia tha se pati therje me thikë, Shefi i Intensivës e mohon

 

 

Lulzim Fejzullahu, i riu nga Podujeva i cili vdiq më 20 janar, një javë pasi ishte duke u trajtuar në mjekim intesiv në QKUK, nuk kishte shenja të therjes në trupin e tij, ka thënë sot Shaqir Uka, Shefi i Intensivës në QKUK.

Uka ka thënë se 18-vjeçari është pranuar në Klinikën Intensive pas intervenimit kirurgjik në Klinikën Emergjente.

Megjithatë, ai ka mohuar të jenë evidentuar shenja të shpuarjes me thikë në trupin e 18-vjeçarit.

“18 vjeçari ka ardhur në repartin tonë pas intervenimit kirurgjik që e ka marrë në Emergjencë, dhe as në raportin tonë po as të Emergjencës nuk evidentohen shenja te shpuarjes me thikë. Në bazë të ngjarjes, 18 vjeçari ka vdekur prej plagëve të marra nga goditja në tru”, ka thënë Uka në një deklaratë për portalin Lajmi.net.

Deklarimi i Shefit të Intensivës ka demantuar raportin e Policisë së Kosovës për ngjarjen, të publikuar më 15 janar, një ditë pas sulmit ndaj viktimës në Podujevë.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës të datës 15 janar thuhet se rasti ishte cilësuar si vrasje në tentativë ndërsa për të riun policia ka thënë se ishte therur me thikë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti poliçor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin policor të 15 janarit 2024.

Lulzim Fejzullahu më 14 janar është dërguar me lëndime të rënda trupore në QKUK.

Dy të mitur, 16 dhe 17-vjeç, dyshohen për vrasjen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d