Vetëm Kosova pa statusin e vendit kandidat për BE, Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerim

 

 

Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisionar për zgjerim.

Ajo e ka thënë këtë për të treguar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.

Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian ka pasur komisionar për zgjerim, por ai ka qenë përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me zgjerimin është marrë vetëm pjesërisht, pasi në dikasterin e tij ka pasur përgjegjësi edhe për vendet në fqinjësi të BE-së – nga lindja e Evropës deri te vendet e Afrikës së Veriut.

Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisionar vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të parë të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Atëkohë, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn.

Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisionari për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën ndaj fqinjëve.

Drejtoria për zgjerim është shndërruar, po ashtu, në drejtori të përgjithshme për fqinjësi dhe zgjerim. Shkurtesë e saj ishte NEAR, që nga anglishtja i bie ‘afër’. Kjo është shpjeguar me faktin se vetëm disa vende kanë qenë në procesin e zgjerimit dhe shumica prej tyre në fazën fillestare.

Tash, me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.

Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok qysh në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tash nuk është shqyrtuar.

Në BE, ndërkohë, është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit dhe pritet që ai të përshpejtohet.

Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.

Edhe udhëheqës të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që të dyja palët, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, të kryejnë pjesën e tyre të punës, për të mundësuar realizimin e qëllimit të procesit të zgjerimit, përkatësisht pranimin formal të vendeve kandidate në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d