Vdes Jeton Berisha, babai i cili u plagos bashkë me dy djemtë e tij para dy javësh në Pejë

 

 

Ka vdekur Jeton Berisha, babai i cili ishte plagosur me dy djemtë e tij para dy javësh në Pejë. Rastin e vdekjes e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Policia në Pejë, e cila ka njoftuar se lajmin e kanë marrë nga QKUK.

Jeton Berisha, siç kishte raportuar Gazeta, ndodhej në gjendje të rëndë, me plagë në regjionin e qafës dhe gjoksit.

Për motive akoma të panjohura, babai me dy djemtë e tij ishin qëlluar me armë zjarri natën e 22 majit, në qendër të Pejës. Gazeta pati raportuar se viktimat që ishin cak i të dyshuarit ishin Jeton Berisha, i cili ka ndërruar jetë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe dy djemtë e tij, Jetnisi dhe Jetarti.

I dyshuar për këtë rast është Agron Gashi, të cilit Gjykata Themelore e Pejës, më 24 maj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Kush është Agron Gashi?

Agron Gashi, i cili dyshohet për rastin që ndodhi në Pejë, është nga fshati Ozdrim i Pejës, dhe ka të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, që dyshohet se i ka kryer në vazhdimësi.

Jo më larg se në dhjetorin e vitit të kaluar, Gashi e kishte goditur me veturën e tij një zyrtar policor që ishte në detyrë.

Menjëherë pas aktit, siç kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta, Gashi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, dhe më pas e kishte braktisur veturën, për t’u arratisur, me qëllim që të shpëtojë nga prangat.

Për rastin ndaj policit, ai rëndohej me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Por, ky dhe rasti i fundit, nuk janë veprat e vetme të tij.

Gashi, që është vetëm 21-vjeçar, ka qenë subjekt i hetimit për veprat si “Kanosje”, “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” e raste të ndryshme të “Lëndimit trupor” – incidente në të cilat është përfshirë në vazhdimësi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d