Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është deklaruar sërish për vdekjen e dyshimtë të 4-vjeçares nga Gjakova.
Në një prononcim për media, Vitia ka thënë se janë duke pritur raportet e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore.
“Natyrisht, na ka prekur të gjithëve sepse është një rast shumë i rëndë dhe jemi jashtëzakonisht shumë të pikëlluar. Me të marrë vesh kam kërkuar menjëherë te drejtoria e SHSKUK-së raporte nga Spitali i Përgjithshëm i “Isa Grezda’ në Gjakovë dhe nga të gjitha institucionet e nivelit sekondar dhe terciar që kanë trajtuar vajzën katërvjeçare. Në të njëjtën kohë Inspektorati i Shëndetësisë ka dalë në këto institucione dhe është edhe sot aktiv në këtë drejtim dhe të njëjtin kohë po presim raporte e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore për të dhënë pastaj edhe për të pasur të gjitha informacionet e sakta në fund. Për momentin natyrisht çkado që mund të them mund të gaboj sepse pa raportet që i përmenda dhe pa ekspertizën mjeko-ligjore, por edhe hetimet nga njësia hetuesisë dhe prokuroria nuk mund të përgjigjem nëse ka pasë diçka në këtë drejtim”, tha.
Ndryshe, vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në vend.
Policia e Prokuroria kanë nisur hetimet për rastin, derisa familjarët kanë akuzuar mjekët për neglizhencë.
Pas dyshimeve të ngritura nga prindërit se personeli mjekësor e ka neglizhuar rastin e vajzës së tyre duke shkaktuar fatalitet, nga Spitali i Gjakovës kanë thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.
“Në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njoftojmë se më datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë”, thuhet në reagimin e Spitalit ‘Isa Grezda’.
Ndërkaq Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, ka bërë të ditur se 4-vjeçarja nga Gjakova, ka vdekur si pasojë e Sepsës, infeksion i shkallës së lartë.
“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, u tha në komunikatën e QKUK-së dhe ShSKUK-së.
ShSKUK dhe QKUK kanë deklaruar se nga Spitali i Gjakovës, është kërkuar raporte të detajuara të cilat do të shqyrtohen.