Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-liderëve të UÇK-së

 

 

Në Dhomat e Specializuar në Hagë edhe sot do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca e sotme është njoftuar të nisë në ora 09:00 dhe do të zgjasë shtatë orë e gjysmë.

Seanca e sotme vazhdon pas asaj të djeshmes, ku dëshmoi dëshmitari Rrustem Tetaj.

Tetaj teksa foli për takimet me Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, duke thënë se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdha në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës.

“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.

Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, edhe nesër do të ketë seancë, për të shkuar më pas në pushim një javë dhe për t’iu rikthyer procesit gjyqësor në mes të shtatorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d