Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

 

 

Në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së. Gjykimi do të rifillojë sot, 27 gusht, në orën 09:00, me dëshminë e dëshmitarit të ri të ZPS-së.

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d