Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Me një rast të tillë është përballur një zyrtar policor, që po e siguronte një person që ndodhej në QKUK.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se polici po e ruante një të dënuar që po trajtohej në Klinikën e Ortopedisë, kur u përballë me kanosjet serioze të një familjari të tij.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari, që ishte vëllai i të dënuarit, e ka kërcënuar policin, duke iu drejtuar me fjalët “Uniformën kom me ta desh e familjen ta zhduki – ta q* familjen”, thonë të njëjtat burime.
Gazeta mëson se personi që po dyshohet për këtë rast është Agron Ejupi, 26-vjeçar, i cili më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ofenduar dhe kanosur zyrtarin policor derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, rasti duke u hetuar.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.