Ukraina nuk ka marinë, por po dërrmon Rusinë në Detin e Zi

 

 

Një video bardh e zi tregoi me gjasë një varkë të shpejtë që lëvizte nëpër valët e detit, derisa i afrohej një luftanijeje shumë më të madhe. Skafi, më pas, shpërtheu në mënyrë spektakolare dhe videoja gati 3-minutëshe përfundoi me luftanijen duke u rrotulluar, pak përpara se të fundosej.

Varka e shpejtë ishte, në fakt, një dron detar pa pilot, i njohur si MAGURA-V, i projektuar nga Ukraina dhe i mbushur me eksploziv.

Luftanija supozohet se ishte Tsezar Kunikov, një nga vetëm disa anijet e rënda të flotës ruse në Detin e Zi.

Ajo u fundos në brigjet jugore të Krimesë – gadishullit ukrainas të aneksuar nga Rusia, 10 vjet më parë. Fati i ekuipazhit të saj, i vlerësuar në rreth 70 persona, është i paqartë.

Një ditë më vonë, admirali në krye të flotës në Detin e Zi u tha se u hoq nga komanda.

Tsezar Kunikov është një nga rreth 20 luftanijet ruse që Ukraina i dëmtoi seriozisht, ose i fundosi plotësisht, prej se Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë, më 24 shkurt të vitit 2022.

Para fundosjes së kësaj të fundit, Oryx – një ueb-faqe holandeze e njohur për të dhënat e verifikuara të humbjeve të pajisjeve ruse dhe ukrainase – tha se bëhet fjalë për 21 anije luftarake dhe një nëndetëse ruse të dëmtuara ose të shkatërruara. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka një shifër paksa më të lartë: 24 anije ruse dhe një nëndetëse.

Kjo përbën afërsisht një të tretën e gjithë flotës ruse, e cila numëron rreth 74 luftanije e nëndetëse. Shifra nuk i përfshin anijet më të vogla, si ato të patrullimit bregdetar, ose ndihmëset.

Pavarësisht se si llogariten, bëhet fjalë për humbje të mëdha detare, të shkaktuara nga një vend që, faktikisht, nuk ka marinë, thonë ekspertët detarë dhe ushtarakë.

“Suksesi i Ukrainës në Detin e Zi sigurisht që ka ardhur si befasi për shumë prej nesh. Në det, ukrainasit kanë provuar të jenë shumë më inovativë sesa rusët – teknologjikisht dhe taktikisht”, thotë Michael Petersen, drejtor i Institutit për studime të forcave detare të Rusisë në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së, në Njuport.

“Inovacioni i guximshëm që ata kanë shfaqur, është në kontrast me flotën [ruse] të Detit të Zi, e cila është dëshmuar se është jashtëzakonisht e cenueshme ndaj rrezikut”, shton ai.

“Ukraina ka ndjekur një fushatë klasike asimetrike kundër një kundërshtari dukshëm më të fortë”, thotë Mike Plunkett, analist i platformave detare në Janes – një kompani kërkimore e inteligjencës së mbrojtjes.

Sipas tij, Rusia “ka kaluar nga një fuqi e padiskutueshme detare në Detin e Zi – të paktën në letër – në të qenët e fiksuar në pjesën lindore dhe e paaftë për të ushtruar kontroll detar mbi rajonin”, raporton rel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d