Përjashtimi i gazetarit Arlind Sadiku nga Kampionati Evropian për shkak të simbolit të “shqiponjës” drejt tifozëve serbë, ka bërë bujë në rrafshin ndërkombëtar.
Për këtë çështje, të mërkurën kanë raportuar edhe mediat prestigjioze botërore The Guardian e Reuters.
Sadikut, i cili raporton për Klan Kosovën, iu refuzua hyrja në konferencën për shtyp të Shqipërisë të martën dhe më pas iu konfiskua akreditimi nga UEFA.
Në një letër të cilën e ka parë The Guardian, punëdhënësve të Sadikut iu tha nga UEFA se akreditimi i tij është anuluar me efekt të menjëhershëm për shkak të “sjelljes së keqe në ndeshjen midis Serbisë dhe Anglisë”.
Para ndeshjes të së dielës, Sadiku kishte raportuar nga një pozicion në të cilin ishte caktuar nga UEFA para mijëra tifozëve të Serbisë në Gelsenkirchen.
Thirrjet janë të dëgjueshme dhe Sadiku thotë se ato kishin përmbajtje “Kosovo je srce Srbije” (“Kosova është zemra e Serbisë”). Në fund të paraqitjes së tij televizive, ai shikoi turmën dhe bëri gjestin e “shqiponjës” me duar.
Sadiku tha se ka marrë kërcënime me vdekje përmes rrjeteve sociale në këto tre ditë.
Ai shtoi për The Gurdian se reagimi i tij ishte instinktiv dhe emocional.
“Njerëzit nuk e dinë se si ndihesha në atë moment sepse kam trauma nga lufta,” tha ai. “Shtëpia ime është bombarduar në mes të natës kur isha fëmijë, ishte në gjumë dhe mbaj mend që u zgjova me gjak në të gjithë fytyrën dhe trupin. E di që ishte joprofesionale nga këndvështrimi i një gazetari, por të shihja familjen time në atë situatë ishte traumatike për mua dhe nuk mund ta harroj”.
UEFA ka thënë se gazetari Sadiku mund të zëvendësohet nga një gazetar tjetër nga e njëjta organizatë, pra Klan Kosova – Artmotion, për pjesën e mbetur të turneut.