Tri shkolla të reja në Prishtinë me investim publiko-privat, nis ndërtimi i njërës në “Mati 1”

 

 

Kryeqytetit do t’i shtohen tri shkolla të reja, të financuara nga investimi publiko-privat. Kështu bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fillimin e ndërtimit të shkollës së re në lagjen “Mati 1”.

Në vënien e gurthemelit të saj, Rama tha se kjo shkollë do të ketë kapacitet prej 720 nxënës dhe hapësirë afër pesë mijë metrash katrorë.

Ai ka shtuar se investimi privat, pas përfundimit të ndërtimeve, do të kthehet nga Komuna në një një periudhë 12- vjeçare.

Kryetari Përparim Rama, ka thënë se krahas kësaj shkolle me partneritet publiko-privat do të ndërtohen edhe dy të tjera. Një në lagjen “Sofalia”, e tjera në lagjen “Qëndresa”.

“Kam kënaqësinë me qenë sot në ‘Matin 1’ ku edhe përuruam fillimin e ndërtimit të shkollës së re të kësaj lagje. Kjo është një ndër tri shkollat që i kemi kontraktuar me procesin e partneritetit publiko privat, të cilat në bazë të kontratës duhet të përfundojnë në vitin e ardhshëm në korrik, është një shkollë me interes të madh për Kryeqytetin. Kjo i jep një ndihmë të madhe edhe shkollës ‘Pavarësia’ edhe shkollës ‘Ismail Qemali’. Është një proces që brenda 4 viteve të ardhshme të gjitha shkollat në Kryeqytet te jenë me mësim tërëditor. Kapaciteti i kësaj shkolle është 720 nxënës, janë 4800 metra katror”, ka thënë Rama.

Kreu i Prishtinës ka thënë se investimi total i tri shkollave me partneritet publiko-privat do të kushtojë më shumë se 15 milionë euro.

“Investimin ne e kemi nënshkruar kontratë tash para 1 viti e gjysmë dhe është në partneritet publiko-privat. I gjithë investimi është prej sektorit privat, ndërsa ne në momentin kur shkolla përfundon, fillojmë me pagua mirëmbajtjen. Pra shfrytëzojmë fondet private që të krijojmë shkolla. Pra tri shkolla tash që po i bëjmë, kjo i ka 720 nxënës, tjetra qe do të fillojmë ndërtimin në Sofali, në javën e ardhshme dhe i ka 680 nxënës, ndërsa tjetrën që e kemi filluar para një viti në lagjen ‘Qëndresa’ i ka 1 mijë nxënës. Shifra është 15.4 milionë për të tri shkollat, mirëpo të gjitha këto paguhen prej sektorit privat. Pastaj në periudhë 12- vjeçare i paguajmë në këto”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d