Tri ditë pas vdekjes misterioze të Alexei Navalny, Putin rrit në detyrë zëvendëskryetarin e burgjeve ruse

 

 

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka promovuar zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit, Alexei Navalny, në një burg të largët të Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

Promovimi i Boyarinevit më 19 shkurt ishte “shpërblim i menjëhershëm nga Putini për torturë”, shkroi Ivan Zhdanov në rrjetin social X, ku e postoi edhe një fotografi të dekretit për provokimin e tij.

“Boyarinevi personalisht e ka udhëhequr torturimin e Alexei Navalnyt në burg. Boyarinevi mori urdhër personal nga FSIN-i për t’ia kufizuar Alexeit blerjen e ushqimit, sikurse për çdo torturë tjetër”, shkroi Zhdanov sipas REL.

Qirinj vendosen pranë një fotografie të politikanit rus Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus javën e kaluar, në Paris, Francë, 19 shkurt 2024.

Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

E veja e kritikut të Kremlinit, Yulia Navalnaya, e ka fajësuar publikisht presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për vdekjen e burrit të saj, si dhe është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër Kremlinit dhe se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e vdekjes së tij.

“Tri ditë më parë, Vladimir Putin, e vrau burrin tim, Alexei Navalny”, tha Yulia Navalnaya në një video të shkurtër në X.

Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

Njerëzit marrin pjesë në një protestë pas vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny, pranë Ambasadës ruse në Kapara, Maltë, 19 shkurt 2024.

Grupi për të drejtat e njeriut, OVD-Info, e ndërmori këtë nismë në një kohë kur Bashkimi Evropian bëri thirrje për një hetim të brendshëm të pavarur për vdekjen e Navalnyt në një burg të largët në Arktik.

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d