Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton
Në një rrahje janë përfshirë mbrëmë pas mesnate disa të rinj në Gjakovë, me ç’rast dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e therjes me thikë.
Burimet e Gazetës brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy të rinjtë e moshave 22 dhe 17-vjeçar janë dërguar atje për ndihmë mjekësore, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë nga goditjet me thikë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimave është stabilizuar dhe të njëjtit ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshmitë nga viktimat.
Sipas informacioneve, njëri prej të dyshuarve është identifikuar, ndërsa nuk dihet ende mbi identitetin e të dyshuarit të dytë. Organet e rendit kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, pasi të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë arratisur në drejtim të panjohur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.