“Thellësisht të shqetësuar me situatën e shqiptarëve”, katër euro-deputetë i çojnë letër Serbisë

 

 

Vioa von Cramon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten, që të katërt eurodeputetë, i kanë shkruar një letër kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, ministrit për të drejta humane dhe të pakicave dhe për dialog social, Tomisllav Zhigmanov, dhe ministres të administratës publike dhe vetëqeverisjes lokale në Serbi, Jelena Zhariq Kovaçeviq.

Në këtë letër, katërshja evropiane janë shprehur shumë të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi, gjegjësisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit më 2001, ka pasur përkushtime për të adresuar ankesat dhe për të përmirësuar kushtet e pakicës shqiptare në këtë rajon. Është qenësore që këto marrëveshje jo vetëm të pranohen, por edhe të zbatohen në tërësi për të garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e pakicës shqiptare”, thonë katër eurodeputetët në këtë letër të publikuar nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai këtë letër e quajti “ditë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Kamberi pati një falënderim të madh për Qeverinë e Kosovës, “në veçanti Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv. Kryeministrin Besnik Bislimin, për mbështetjen e tyre të çmuar dhe vizionin e tyre në proceset lobuese për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Kamberi.

Në letër shtohet se “është e mirë-dokumentuar, veçanërisht në dekadën e fundit, që pakica shqiptare vazhdon të përballet me forma të ndryshme të diskriminimit, përfshirë procesin e ashtuquajtur të ‘pasivizimit’, qasjen e kufizuar në edukim, mundësitë për punësim dhe kujdesin adekuat shëndetësor”.

“Një mekanizëm kyç i ngritur për të lehtësuar dialogun dhe për të adresuar brengat e shqiptarëve është Organi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Megjithatë, është qenësore që ky organ të funksionojë në mënyrë të efektshme dhe efiçiente për t’i shërbyer qëllimit në përfaqësimin e interesave të komuniteteve pakicë”, thotë më tej letra e hartuar nga katërshja Vioa von Cramon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten.

Eurodeputetët kërkojnë nga qeveria e Serbisë dhe autoritetet tjera relevante t’i japin prioritet të drejtave të pakicave dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar këto çështje.

Ndër kërkesat e tyre janë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve për adresimin e brengave të ngritura nga pakica shqiptare, funksionalizimi i Organit Koordinues, mundësitë e barabarta dhe qasja në shërbime esenciale, dhe riparimin e procesit të “pasivisimit” i cili thonë se çoi në uljen e konsiderueshme të popullsisë shqiptare në listat zgjedhore.

“Kërkojmë me ngulm që t’i jepni prioritet kësaj çështje dhe të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të adresuar brengat e ngritura nga pakica shqiptare. Mbrojtja e të drejtave të pakicave është esenciale për përparimin afatgjatë të shoqërisë serbe dhe arritjen e paqes së shëndetshme në Ballkanin Perëndimor”, përfunduan letrën katër deputetët evropianë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d