Testimi i mësimdhënësve nuk është obligativ, fillon si testim për avancim

Testimi i mësimdhënësve në Kosovë këtë vit nuk do të jetë obligativ. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Në dy fazat e para do të fillohet si një testim për avancim në karrierë për përfitimin e licencës së avancuar, teksa hapi i radhës do të jetë për mësimdhënësit të cilët do të hyjnë në proces dhe pastaj me kohë do të jepen informatat për të gjitha çështjet e tjera.

Për këtë ide të Nagavcit SBASHK-u thotë se nuk është i informuar, derisa ka mësimdhënës që e vlerësojnë të mirëseardhur procesin, por edhe të atillë që e vlerësojnë të pakuptueshëm.

Zarife Bajgora Godanci, e cila është mësimdhënëse në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, e vlerëson të mirëseardhur procesin e vlerësimit të mësimdhënësve.

“Po, nuk jam kundër. Pse mos me bë këtë testim dhe me pas ngritje në karrierë, ku secila palë e sprovon vehtën dhe arrin atë çfarë dëshiron. Nuk kemi pse me pas frikë prej testimit”, tha për RTK-në, mësimdhënësja Zarife Bagjora Godanci.

Por kështu nuk mendon edhe kolegia e saj, Lindita Fazliu. Ajo e konsideron të pakuptueshme pse duhet të testohen.

“Për ngritjen e cilësisë çdo herë shkojmë avancohemi duke kryer trajnime të ndryshme, nuk di dhe nuk e kuptoj pse duhet të jetë një vlerësim tjetër. Ne jemi të kualifikuar për këtë drejtim, për këtë punë që e bëjmë dhe ku qëndron problemi, pasi mua po më duket më shumë si problem e jo si vlerësim”, tha Lindita Fazliu, po ashtu mësimdhënëse në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

Kundërshtim për testim ka edhe nga Sindikata e Arsimit, e cila ka deklaruar se parimisht është kundër testimit me shkrim të njohurive të punëtorëve të arsimit, përderisa janë për vlerësim të punës së mësimdhënësve përmes inspektorëve profesional.

“Test me shkrim për punëtorët e arsimit për njohurit e tyre, nuk ka pas, nuk ka dhe dhe nuk do të ketë dhe ne do të reagojmë duke respektuar zërin e mësimdhënësve. Mirëpo, së fundmi znj.Nagavci, doli me një ide tjetër për të cilën ne nuk jemi të informuar ngase na mungojnë takimet që nga shtatori e këtej me të. Por, një lloj avancimi, një lloj gradimi duke u thirrur edhe në ligjin e pagave që thotë se do të ketë një ngritje page dhe është menduar për licensën e avancuar dhe licensën e përheshme, karrshi licencës që e kanë të gjithë mësimdhënsit. Por znj. Nagavci duhet të jetë korrekte edhe konkrete në deklaratat e saj”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se tashmë është finalizuar legjislatura sekondare, e cila i ka kaluar të gjitha fazat e dëgjimit publik dhe se udhëzimet administrative janë prezantuar në shkolla.

“Në këtë fazë, në qershor, nuk mund të jetë i obligueshëm sepse ne e kemi parasysh që rezultatet e nxënësve janë shumë komplekse dhe rezulatet përfshijnë një varg faktorësh, përfshirë tekstet mësimore, cilësinë e teksteve me të cilat punojnë fëmijtë tanë, cilësinë e programeve universitare, fakulteteve të edukimit të cilat i përgadisin kuadrot për mësimdhënës, rekrutimit për mësimdhënës e shumë elemente të tjera. Planifikimet janë në dy faza; e para që të filllohet si një testim për avancim në karrierë për përfitimin e licencës së avacuar, hapi i radhës do të jetë për mësimdhënësit të cilët do të hyjnë në proces dhe pastaj me kohë do të jepen informatat për të gjitha çështjet tjera”, tha ministrja e Arsimit.

Sipas Ngavacit, procesi i licencimit, për këtë fazë është paraparë në të gjitha nivelet e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d