Bashkimi Evropian u deklarua se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën në Bruksel se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.
Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse.
“Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së targave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për targat”, tha Stano.
Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.
Blloku prej 27 vendesh e ndërmjetëson prej vitit 2011 dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.
Në pyetjen se çfarë mjetesh ka BE-ja për ta bindur Serbisë që të zbatojë marrëveshjen, pasi ajo është shprehur se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj, Stano tha të hënën se Serbia ka zgjedhur si orientim integrimin në BE dhe në rast të dështimit në zbatimin e detyrimeve, do t’i rrezikohej ky proces.
“E dimë se ka edhe çështje tjera që Serbia duhet t’i përmbushë në procesin e integrimeve e jo vetëm Kosovën. Por, një më shumë do ta bëjë rrugëtimin edhe më të vështirë”, tha ai.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.
Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.
Në lidhje me masave ndëshkuese që BE-ja i ndërmori ndaj Kosovës viti e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit kur kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrtarët e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë, Stano tha se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.
Ai theksoi se blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura.
Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka prirje nga disa vende për t’i keqpërdorur masat që blloku i vendosi në fillim të këtij viti ndaj vendit të saj, për ta “kushtëzuar atë për çështje plotësisht tjera”.
“Sa i përket masave, ato është dashur të hiqen moti, në fakt nuk është dashur të vendosen kurrë, përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve në BE sa i përket 26 majit”, tha Osmani.
Ajo nguli këmbë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave, duke thënë se “ato që janë kërkuar nga Kosova për ato që e quanin deeskalim kanë ndodhur”.