Szunyog: Është kyçe që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, mos të kushtëzohen serbët

 

 

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se është shumë i kënaqur që serbët e Kosovës kanë përdorur të drejtën e tyre për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ai ka bërë thirrje që të niset me mbledhjen e nënshkrimeve edhe në Zubin-Potok e Zveçan.

Szunyog në postim në platformën “X” ka thënë se është shumë e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, e po ashtu serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje pa kushtëzime.

“I kënaqur të shoh serbët e Kosovës që përdorin të drejtën e tyre demokratike, të ofruar nga korniza ligjore e Kosovës, dhe kanë nisur me mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. U bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës në nivel qendror dhe lokal të ofrojnë gjitha dokumentet e nevojshme dhe të lejojnë grupet e qytetarëve të iniciojnë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në Zubin Potok dhe Zveçan. Është kyçe që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka shkruar Szunypog.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar. Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.

Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri që u zgjodhën në prill të vitit 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Sipas KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

Baza ligjore për largimin e kryetarëve të komunave

Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 janar. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d