Specialja rrëzon kërkesën e Haxhi Shalës për të ndarë procesin gjyqësor nga Januzi dhe Bahtijari

 

 

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka hedhur poshtë kërkesën e Haxhi Shalës për veçimin e çështjes kundër tij nga çështja kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe që të ketë një gjykim të veçantë.

“Në marrjen e vendimit të saj, gjykatësja vuri në dukje se gjykimet e veçanta do të shtonin në mënyrë të pashmangshme kohën dhe burimet e gjykatës dhe do të rrezikonin të drejtat e të akuzuarit për t’u gjykuar brenda një kohe të arsyeshme”, thuhet në njoftim.

Në një vendim tjetër, gjykatësja Masselot gjithashtu hodhi kërkesën e mbrojtjes së Ismet Bahtijarit për zgjatje të afatit për dorëzimin e dosjes paraprake të përditësuar të saj.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se gjykatësja Masselot, ka konstatuar se mbrojtja nuk ka demonstuar se zgjatja e afatit është e përligjur dhe ka rikujtuar se të gjitha ekipet e mbrojtjes duhet të dorëzojnë dosjet e tyre paraprake deri më 2 shtator, sipas udhëzimeve në vendimin e saj të mëparshëm

Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Në aktakuzën e konfirmuar, thuhet se Haxhi Shala akuzohet për: “(i) frikësim dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d