Specialja bastis shtëpinë e ish-komandantit në ditën më të rëndësishme të UÇK’së, në ‘Natën e Zjarreve’

 

 

7 marsi shënon “Natën e Zjarreve”, natën e fundit të Epopesë së UÇK’së, pasi që më 7 mars të 1998’ës përfundoi edhe rezistenca e familjes Jashari. Gjykata Speciale, e cila është në harmoni me ligjet e Republikës së Kosovës, në ditën më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s’e kurseu as ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimin. Në po të njëjtën datë, atij iu bastis shtëpia.

Gazeta gjatë ditës ka kontaktuar me avokatin Artan Qerkini, i cili ka konfirmuar bastisjen në shtëpinë e tij.

Qerkini ka thënë se Sylejman Selimi nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por që brenda shtëpisë së tij ka mundur të ketë dëshmi që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar. Por sipas urdhërit të gjykatës, mendohet se në shtëpisë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini.

Sipas Qerkinit, ata kanë vërejtje për mënyrën se si është bastisur shtëpia e Selimit.

Ai thotë se në këtë mënyrë nuk është dashur të bëhet bastisja, përderisa klienti i tij nuk është në cilësinë e të dyshuarit.

“Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhërin. Mendojmë që nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe I cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.

Ekipi ka qëndruar pranë shtëpisë së Selimit, ku vetura zyrtare të Policisë së Kosovës dhe vetura jo-zyrtare e pa logo të EULEX’it janë parë duke bastisur shtëpinë e ish-komanda1ntit të Shtabit të UÇK’së.

Policia bllokoi rrugën që të dërgojnë afër shtëpisë së Selimit.

Bastisja ka filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe është duke vazhduar ende (ora 10:54, e enjte).

Për Selimin u pati raportuar se ka shkuar si i dyshuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale, mirëpo që ai e pati mohuar.

Bastisja ka ndodhur në ditën më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më saktësisht “Natën e Zjarreve” që shënon edhe ditën e fundit të ‘Epopesë së UÇK-së’.

Më 5, 6 dhe 7 mars në Kosovë mbahen ditët kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Forcat serbe në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998 kishin rrethuar Prekazin. Atje ishte vendosur rrethim i hekurt. Më 5 mars 1998 kishte rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari.

Rezistenca e Jasharëve vazhdoi edhe më 6 e 7 mars 1998 ku u vranë 55 persona nga Prekazi, 22 prej të cilëve të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.

Nata e zjarreve ka një simbolikë të veçantë. Shënohet në natën e fundit të Epopesë së UÇK-së, pasi që më 7 mars 1998 kishte përfunduar edhe rezistenca e Jasharëve.

Pas rënies së familjes Jashari, forcat serbe ua kishin vënë zjarrin shtëpive dhe në mbrëmjen e 7 marsit, nga larg shihej zjarri në kullat e familjes Jashari. Kështu, simbolikisht, dita e fundit e Epopesë së UÇK-së quhet “Nata e Zjarreve”.

Përveç kësaj, 7 marsi quhet “Nata e Zjarreve” pasi që pikërisht nga kjo ditë edhe është shpërndarë “zjarri” i luftës në të gjithë Kosovën.

Epopeja e UÇK-së, e cila nisi të dielën, përfundon sonte me “Natën e Zjarreve”.

Kush është Sylejman Selimi?

Sylejman Selimi ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Drenicës gjatë Luftës në Kosovës.

Ai përgjatë periudhave 1998-1999, ushtroi funksionin e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK’së.

Më 1999-2000 u shpall Komandant i Gardës së Kosovës, ndërkaq nga 2006-a ishte zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), deri më 2009-ën.

Ndërkaq nga 2009-a e deri më 2011-ën ai shërbeu si komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ushtroi edhe funksione politike. Selimi më 2011-ën u emërua ambasador i Kosovës në Shqipëri. Ai vazhdoi ta mbante këtë pozitë edhe gjatë kohës sa po akuzohej për krime lufte.

Selimi u dënua për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar burgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.

Ai u dënua me tetë viet burg nga gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në maj të vitit 2015, por Gjykata e Apelit në Prishtinë e uli dënimin me shtatë vjet burg në tetor të 2016-ës.

Më pas, ai u lirua me kusht në janar të 2019-ës.

Që nga atëherë, ai s’ka pasur fort paraqitje publike. Herën e fundit ai u deklarua lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin tha se ka qenë pjesë e UÇK’së.

“Normal që Albin Kurti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne jemi takuar disa herë gjatë luftës me të. Nuk po me pëlqen debate që është duke ndodhur me figura të rëndësishme të UÇK-së”, kishte thënë Sylejman Selimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d