Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do ta njohin të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez.
Ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si “shpërblim” për Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – që udhëheq Gazën. Këto tri shtete evropiane besojnë se iniciativa e tyre ka ndikim të madh dhe që do t’i inkurajojë edhe vendet tjera të veprojnë njëjtë.
Ato përmendin edhe rolin historik të Norvegjisë dhe Spanjës në avancimin e përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Më 1991, dy palët janë ulur së bashku, për herë të parë ndonjëherë, në konferencën për paqe në Madrid, e cila më pas ua ka hapur rrugën të ashtuquajturave Marrëveshje të Oslos, të nënshkruara më 1993.
“Njohja e shtetit palestinez ka të bëjë me drejtësi për popullin palestinez”, ka thënë ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, të hënën në Bruksel.
Sipas tij, ky vendim përbën “garancinë më të mirë të sigurisë për Izraelin dhe është absolutisht thelbësore të arrihet paqja në rajon”.
Planet për njohje të shtetit palestinez janë prezantuar javën e kaluar përmes një njoftimi të koordinuar në mes të tre kryeministrave.