Në përvjetorin e 25-të të masakrës së Poklekut në Drenas, pritet të përfundojë rinovimi dhe të kthehet në muze shtëpia në të cilën forcat serbe ekzekutuan 53 civilë, ndër ta 23 fëmijë.
Ky lajm e ka gëzuar Fadil Muqollin, të cilës më 17.04.1999, forcat serbe ia vranë katërmbëdhjetë anëtarë të familjes së ngushtë, babanë, nënën, katër motrat, bashkëshorten me katër fëmijë, dhe bashkëshorten e vëllait me dy vajza.
Gjashtë civilë arritën të dalin të gjallë nga shtëpia, dy u ekzekutuan në oborr, ndërsa 51 civilë ndër ta 23 fëmijë, u ekzekutuan brenda një dhome. Kjo shtëpi në Poklek të vjetër të Drenasit ruan kujtimet e krimeve makabër nga forcat serbe.
Masakra ku u ekzekutuan 53 civilë, do të dokumentohet e do kthehet në muze për vizita, me investim të Ministrisë së Kulturës.
“Kur jav ka gju bombën, njerëzit i ka shkepur edhe i kanë plaguar. Edhe kur ka hy brenda edhe ka gju me pushkë automatike i ka vra të gjithë, këta gjaku që u shkep i atyre njerëzve”, tha Fadil Muqolli, familjar i viktimave.
Fadili flet për masakrën e 17.04.1999, atij i janë vrarë 14 anëtarë të familjes së ngushtë.
Në shkallë janë të skalitura në metal figurat e atyre që i mbijetuan ekzekutimit e u nisën shkallëve për të shpëtuar.
Muqolli thotë se për mbi 20 vjet, për çdo ditë, sa herë kthehet në shtëpi, hynë në shtëpinë e vjetër, aty ku jetuan me mbi 20 anëtarë të familjes, i fik dritat, e largohet me kujtimet e fytyrave e zërave të tyre.
Ditëve të fundit në bllokun e vizatimeve të motrës Hafisë, ka gjetur një vizatim që është bërë disa vite para luftës.
“Këtu shihen forcat serbe me dy tanke, një serb që e ka gjuajtur armën dhe një shqiptar me plis te kulla tu e gju, duke e sulmu, mos me e lanë me e prek kullën…Ajo e ka ndje se nuk do ta shijojë lirinë”, tha Muqolli.
Bashkë me orenditë e gjësendet e shtëpjsë vizitorët do të kenë mundësi të njohin edhe fytyrat e viktimave të këtij krimi makabër
“Këtu më janë vrarë katërmbëdhjetë anëtarë të familjes së ngushtë, baba, nëna, katër motrat, bashkëshortja me katër fëmijë, një vajzë e tre djem, edhe bashkëshorjta e vëllaut me dy vajza, që vajza e vogël, Iria ka lindur në luftë, i ka pasur vetëm gjashtë muaj”, tha tutje Muqolli.
Muqolli pret që në përvjetorin e 25-të të masakrës të përfundojnë punimet dhe shtëpia të kthehet në muze, me cicëron e digjitalizim të historikut. Ajo që e brenë e që nuk e thotë Fadili është se ka frikë që të rinjtë do të harrojnë historinë e dhimbshme të rrugës drejt lirisë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovës janë vrarë mbi 1024 fëmijë, 109 ende mbeten të zhdukur.