Pushteti majtist, i cili udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ka vendosur që për disa miliona euro ta rrisë pasurinë e aseteve publike. 6.9 milionë euro janë planifikuar që këto ditë të shkojnë në blerjen e veturave zyrtare. Pos kësaj, mbi 10 milionë euro të tjera janë bërë gati për marrjen me qira të veturave.
Fiks 10,645,800.00 euro është vlera e mjeteve të ndara nga shteti për marrjen e veturave me qira për një periudhë prej 60 muajsh.
Siç ka parë gazeta, tenderi është hapur sot dhe bëhet fjalë për marrjen me qira të 576 vetura për 38 institucione publike, komuna, ndërmarrje, agjenci e ministri.
Vlera e parashikuar për 1 veturë për 1 muaj nuk do të ndryshojë, ndërsa AQP është duke rikonfirmuar kërkesat e institucioneve dhe numri i veturave mund të ndryshojë, që njëherësh mund ta ndryshojë edhe vlerën e parashikuar totale.
Para pak ditëve, AQP-ja ka lidhur tri kontrata për një tender që ka të bëjë për “Vetura me qira” për disa institucione, për një periudhë prej 12 muajsh. Çmimi për to është fiks 1,617,770 euro.
Kontrata e parë është lidhur me kompaninë “Auto Mita”, në një vlerë prej 391,160.88 eurosh. E dyta, po ashtu, më këtë kompani në një vlerë prej 806,346.24 eurosh dhe kontrata e tretë më kompaninë “Mercom Company SH.P.K”, në një vlerë prej 420,264.00.
Agjencia Qendrore e Prokurimit tashmë ka lidhur dy kontrata që kapin shifren mbi 2.5 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare.
“Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës”. Kështu quhet tenderi që është hapur në qershor, në vlerë prej 6,900,000.00 eurosh.
Veturat janë dedikuar për afro 30 institucione dhe është kërkuar që të ofertohet për 15 modele. Kaq kontrata do t’i lidh edhe AQP-ja.
Para pak ditëve, një kontratë e parë është lidhur më “PORSCHE KOSOVA SH.P.K”, për blerjen e modelit të 13-të veturave, e cila kap vlerën prej 1,589,750.00 eurosh.
Për modelin e dhjetë, dje është lidhur një kontratë me “KOSOVA MOTORS J.S.C. SH.A”, vlera e të cilës është 1,140,180.00 euro.
Ndërsa, për arsye të kërkesave për rishqyrtim, mbesin të pezulluara brenda afateve kohore ligjore Lot 1; Lot 2; Lot 3; Lot 4; Lot 5; Lot 6. Ndërsa, Lot 7; Lot 8; Lot 11; Lot 12; Lot 14 dhe Lot 15 janë anuluar.
Gjashtë kompani kanë ofertuar në të gjitha pjesët.
Afati i liferimit të veturave është 100 ditë nga data e porosisë. Veturat duhet të jenë të reja dhe për aplikim ofertuesit duhet të ofrojnë vetura të vitit 2023, ndërsa gjatë vitit 2024 veturat mund të jenë prodhim i vitit 2023 ose 2024, por gjithsesi duhet të jenë të reja. Në rast të ndërrimit të dimensioneve nga prodhuesi, ato do të pranohen me dimensionet e reja, mirëpo modeli duhet të jetë i njëjti. Ndërsa, në rast se gjatë kohëzgjatjes së kontratës ka ndryshim në fuqinë dhe kapacitetin e motorit do të pranohen veturat me specifikat e reja të ofruara nga prodhuesi,
Plus 250 mijë euro me negocim për vetura me qira për vetëm dy muaj
Në tetor, AQP-ja ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e veturave me qira për disa institucione të nivelit lokal dhe qendror. Çuditërisht, kontratat do të kenë validitet vetëm dy muaj. Gjasat janë që ato do të lidhen përsëri me kompanitë e njëjta.
Për lot 1, kontrata është nënshkruar më kompaninë Auto Mita në një shumë prej 197,880.00 euro dhe për lot 2 me kompaninë Mercom Company SH.P.K., në një shumë prej 65,952.00 eurove. Për lot 1 janë 360 vetura, ndërsa lot 2 janë rreth 70 vetura. /Demokracia.com/