Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se SHBA-ja “kapi disa raketa” që Irani i hodhi në drejtim të Izraelit.
“Ne e dënojmë këtë akt të egër të agresionit nga Irani, i bëjmë thirrje të ndalojë çdo sulm të mëtejshëm”, tha ai.
Të martën, Irani hodhi disa raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për, siç tha, agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë.Irani paralajmëroi, gjithashtu, se Izraeli do të përballet me “sulme shkatërruese” nëse përgjigjet.
Austin tha se SHBA-ja është duke monitoruar nga afër situatën dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët e saj.
“Jam thellësisht krenar për aftësinë dhe guximin e trupave amerikane, që ndihmuan për të shpëtuar jetë nga sulmi i Iranit dhe që vazhdojnë ta mbështesin mbrojtjen e Izraelit”, tha Austin, raporton REL.
Ai bëri të ditur se ka biseduar edhe me homologun izraelit, Yoav Gallant, përmes telefonit.
“Ministri dhe unë shprehëm mirënjohje të ndërsjellë për mbrojtjen e koordinuar të Izraelit kundër gati 200 raketave balistike të lëshuara nga Irani dhe u zotuam se do të mbetemi në kontakt të ngushtë”, tha Austin.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “Irani bëri gabim” me sulmin dhe se “do të paguajë” për të.